RREGULLORJA E PUNËS

MISIONI I BASHKIMIT EVROPIAN PËR SUNDIMIN E LIGJIT NË KOSOVË (EULEX)

PANELI PËR SHQYRTIMIN E TË DREJTAVE TË NJERIUT

RREGULLORJA E PUNËS

 

Kapitulli 1. Dispozitat e përgjithshme

Rregulla 1. Qëllimi i Rregullores së Punës

Rregullorja e punës ka për qëllim vendosjen e rregullave të cilat do të zbatohen nga Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (PSHDNJ) dhe të rregullave të cilat paraqiten para tij në procedurat të cilat përfshihen me Koncept Dokumentin mbi Llogaridhënien, i datës 29 tetor 2009 për themelimin e Panelit Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut.

Rregulla 2. Definicionet

Për qëllimet e kësaj Rregulloreje, vetëm nëse konteksti kërkon ndryshe, kuptimi i termave të mposhtëm është si vijon:

  1. ”Veprim i Përbashkët” do të thotë Veprimi i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian nr. 2008/124/PPJS, i datës 4 shkurt 2008 për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Kosovë;
  2. “Panel” do të thotë Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut;
  3. “Ankues” do të thotë çdo person, përveç personelit të EULEX-it, që ka parashtruar një ankesë dhe që pretendon të ketë qenë viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të EULEX-it në Kosovë;
  4. “Përfaqësues” do të thotë person i cili përfaqëson një ankues në procedimet para Panelit;
  5. “SHiM” do të thotë Shefi i Misionit EULEX.

 

Kapitulli 2. Organizimi i Panelit

Rregulla 3. Anëtarët e Panelit

Paneli do të përbëhet prej anëtarëve ndërkombëtarë. Ai do të jetë i pavarur gjatë ushtrimit të funksioneve të veta.  

Paneli do të përbëhet prej tre anëtarëve, prej të cilëve njëri do të jetë gjykatës i EULEX-it.
Gjykatësi i EULEX-it do të emërojë një zëvendës.   

Anëtarët e Panelit do t’i shërbejnë Panelit në mënyrë që ai të kryej funksionet e veta në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.  

Rregulla 4. Procedura e përzgjedhjes dhe emërimit

Dy anëtarë të Panelit, përveç gjykatësit të EULEX-it, do të përzgjidhen përmes konkursit.

Anëtarët e Panelit do të emërohen nga SHiM për një afat kohor prej jo më pak se një vit.
Për rastin e gjykatësit të EULEX-it dhe zëvendësuesin e tij/saj, SHiM emëron anëtarin e Panelit pas konsultimeve të kryera me Shefin e Komponentit të Drejtësisë. Shefi i Komponentit të Drejtësisë jep mendimin e vet pas konsultimeve të kryera me Kryetarin e Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it.

Rregulla 5. Dorëheqja

Anëtari të Panelit ose e zëvendësuesi i gjykatësit të EULEX-it njofton kryetarin e Panelit për dorëheqjen, ndërsa kryesuesi njoftimin e përcjell te SHiM.

Rregulla 6. Zgjedhja e Kryetarit

Anëtarët e Panelit do të zgjedhin njërin prej anëtarëve për Kryetar të Panelit. Gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit mund të merr pjesë edhe anëtari zëvendësues. Në rast të barazimit, votimi përsëritet, duke përjashtuar anëtarin zëvendësues.  
Për kryetar nuk mund të caktohet gjykatësi i EULEX-it, e as zëvendësuesi i tij/saj.
Mandati i kryetarit është për një vit, me mundësi të rizgjedhjes.

Rregulla 7. Funksionet e Kryetarit  

Kryetari drejton punën e Panelit.

Rregulla 8. Zëvendësimi i Kryetarit

Nëse Kryetari nuk është në gjendje të kryej detyrat e tij/ saj, apo nëse posti i Kryetarit është i lirë, detyrën e Kryetarit e kryen një anëtar tjetër që nuk është gjykatës i EULEX-it.

Rregulla 9. Mbështetja nga Sekretaria  

1. Mbështetja e Panelit nga Sekretaria sigurohet përmes Zyrtarit të Lartë Ligjor dhe stafit të Sekretarisë.

2. Zyrtari i Lartë Ligjor, nën udhëzimin e Panelit do të jetë përgjegjës dhe posaçërisht: 

  1. Të asistojë Panelin dhe anëtarët e tij në përmbushjen e detyrave të tyre;
  2. Të jetë kanal për të gjitha komunikimet lidhur me Panelin;
  3. Të mbikëqyrë arkivat e Panelit;

Kapitulli 3. Funksionimi i Panelit

 

Rregulla 10. Selia e Panelit

1. Selia e Panelit do të jetë në Prishtinë.

2. Paneli mund të vendosë të kryej funksionet e veta diku tjetër në Kosovë, nëse e konsideron të përshtatshme.

Rregulla 11. Seancat e Panelit

1. Paneli do të mbajë seancat e tij të rregullta në çdo dy muaj. Caktimi i seancave të jashtëzakonshme varet nga zgjedhja e Panelit.

2. Anëtarët të cilët janë të penguar nga një sëmundje ose ndonjë arsye tjetër serioze që të marrin pjesë në një seancë të plotë të Panelit ose në një pjesë të saj apo nga përmbushja e ndonjë detyre tjetër të Panelit, duhet sa më shpejt që është e mundur të informojnë për këtë Kryetarin.

Rregulla 12. Tërheqja

1. Një anëtar i Panelit mund të mos merr pjesë në punimet e Panelit për shqyrtimin e ndonjë lënde, në rast se:

  1. Ai ose ajo është në konflikt të interesit;
  2. Ai ose ajo ka shprehur publikisht mendimin e tij/saj, nëpërmes medieve, me shkrim, nëpërmes veprimeve të tij/saj publike, të cilat objektivisht mund të ndikojnë në mënyrë jo të favorshme në paanshmërinë e tij/saj;
  3. Për ndonjë arsye tjetër, pavarësia dhe paanshmëria e tij/saj legjitimist mund të vihet në dyshim.

2. Në rast të ndonjë dyshimi lidhur me ekzistimin e njërës prej bazave të referuara në paragrafin 1, ajo çështje do të vendoset nga Paneli, pa pjesëmarrjen e anëtarit përkatës.

Rregulla 13. Shqyrtimet

1. Paneli do të bëj shqyrtimet me dyer të mbyllura dhe shqyrtimet e tij do të mbesin sekrete. Vetëm Zyrtari i Lartë Ligjor dhe anëtarët e Sekretarisë, përkthyesit dhe personat të cilët ofrojnë ndihmë tjetër për Panelin mund të marrin pjesë në këto takime, përveç nëse Paneli vendosë ndryshe.

2. Procesverbali i shqyrtimit mbahet, mes tjerash, duke regjistruar emrat dhe funksionet e personave prezent gjatë shqyrtimit.

3. Aty ku është e nevojshme që Paneli të vendosë për një pikë të procedurës që është jashtë seancës së caktuar të Panelit, Kryetari mund të udhëzojë që shqyrtimi të mbahet me prani të mjeteve elektronike.

Rregulla 14. Kuorumi

1. Paneli mund të vendosë vetëm nëse janë prezent të gjithë anëtarët e tij apo, në rast të Rregullës 13, paragrafi 3, nëse të gjithë anëtarët e tij marrin pjesë në shqyrtim në prani të mjeteve elektronike, me përjashtim të dispozitës nga paragrafi 3.

2. Në rast të dorëheqjes apo tërheqjes së anëtarit, i cili/cila është gjykatës i EULEX-it, apo nëse mungesa e tij/saj është në kuptim të Rregullës 11, paragrafi 2, ai/ajo përkohësisht do të zëvendësohet nga personi zëvendësues.

3. Në rast të dorëheqjes apo tërheqjes së një anëtari, me përjashtim të gjykatësit të EULEX-it, apo mungesës së tij/saj në kuptim të Rregullës 11, paragrafi 2, Paneli mund të vendosë me dy anëtarë të cilët janë të pranishëm apo marrin pjesë në shqyrtim në prani të mjeteve elektronike. Në rast të barazimit, anëtari i cili/cila nuk është gjykatës i EULEX-it do të jap votën përfundimtare.  

Rregulla 15. Votimi

Vendimet e Panelit merren nga shumica e anëtarëve të cilët marrin pjesë në votim. Abstenimet nuk lejohen.

 

Kapitulli 4. Procedura

A. Rregullat e Përgjithshme

Rregulla 16. Gjuhët

1. Gjuhët zyrtare të Panelit janë gjuha shqipe, serbe dhe angleze.

2. Versioni autentik i vendimit do të jetë në gjuhën angleze. Versioni në gjuhën angleze do të përkthehet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe.

3. Në rast të konfliktit apo të mospërputhjeve ndërmjet versionit të dokumentit në gjuhën angleze ose të vendimit dhe versioneve të tij në gjuhën shqipe dhe serbe, do të mbizotërojë versioni në gjuhën angleze.  

Rregulla 17. Përfaqësimi i ankuesve    

Ankuesit dhe, siç mund të ndodhë, përfaqësuesit e tyre të ligjshëm, mund të përfaqësohen para Panelit nga avokatët e tyre apo nga përfaqësues të tjerë sipas zgjedhjes së tyre.  

Rregulla 18. Përfaqësimi i Shefit të Misionit

SHiM mund t’i paraqes Panelit parashtresë me shkrim ose një paraqitje me gojë apo të autorizojë një pjesëtar të Misionit për këtë qëllim.

Rregulla 19. Veprimi në raste të veçanta

1. Paneli mundet, me propozim të tij ose me kërkesë të ankuesit apo të Shefit të Misionit, të merr çdo veprim të cilin e konsideron të përshtatshëm apo të nevojshëm për kryerjen e drejtë të detyrave të veta.

2. Paneli mund të delegojë një apo më shumë anëtarë të vet për një veprim të tillë në emër të tij, dhe veçanërisht të dëgjojë ekspertë apo persona të tjerë, të ekzaminojë dokumente apo të vizitojë ndonjë lokacion. Ky anëtar apo anëtarët duhet t’i raportojnë Panelit për rezultatet e veprimeve që janë ndërmarrë.

Rregulla 20. Bashkimi i ankesave

Paneli mundet, nëse konsideron se është në interes të zhvillimit të duhur të procedimit, të urdhërojë bashkimin e një apo më shumë ankesave.

Rregulla 21. Urdhri i procedimit të ankesave

1. Paneli do të merret me ankesa sipas rendit kur ato janë bërë të gatshme për ekzaminim.

2. Paneli mund të vendosë për t’i dhënë prioritet një ankese të veçantë.

Rregulla 22. Masat e përkohshme

1. Paneli apo, ku është e përshtatshme kryetari, mundet, me kërkesë të ankuesit, apo me propozimin e vet t’i propozojë SHiM ndonjë masë të përkohshme për të cilën konsideron se duhet miratuar në interes të zhvillimit të duhur të procedimeve para tyre. SHiM duhet të merr një vendim.  

2. Paneli mund të kërkojë informatë nga ankuesi apo nga personat e tjerë për çdo çështje në lidhje me zbatimin e ndonjë mase të përkohshme të vendosur nga SHiM.

Rregulla 23. Afatet kohore

Afatet kohore për informacione, vështrime apo komente të kërkuara nga ankuesi dhe SHiM caktohen nga Paneli.

Rregulla 24. Shpenzimet

Nuk parashihet ndonjë pagesë për parashtrim ose procedim të një ankese.

B. Ankesat

Rregulla 25. Parashtrimi i ankesës

1.Çdo person mund të parashtrojë ankesë, përveç personelit të EULEX-it në Kosovë, i cili/cila deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit të tij ekzekutiv. Sipas konceptit llogaridhënës të OPLAN-it të EULEX-it në Kosovë, Paneli nuk do të shqyrtoj procedurat gjyqësore që janë para gjykatave të Kosovës.

2. Paneli do të shqyrtoj vetëm ankesat që kanë të bëjnë me shkelje të dyshuar të të drejtave të njeriut, të cilat kanë ndodhur pas datës 9 dhjetor 2008 në Kosovë.  

3. Ankesat duhet të dorëzohen në Panel brenda gjashtë muajve nga data e shkeljes së dyshuar.

4. Ankesa duhet të parashtrohet me shkrim dhe duhet të nënshkruhet nga ankuesi.

5. Një autorizim me shkrim i cili vërteton përfaqësimin e ankuesit duhet të paraqitet në Panel nga përfaqësuesi i tij/saj, atëherë kur ankuesi përfaqësohet në pajtim me dispozitat nga Rregulla 17.

Rregulla 26. Përmbajtja e ankesës

1. Ankesa duhet të përmbajë:

  1. Identitetin e ankuesit, duke përfshirë siç duhet: emrin, datën e lindjes, profesionin dhe adresën e personit në fjalë;
  2. Emrin, profesionin dhe adresën e përfaqësuesit, nëse ka;
  3. Një deklaratë mbi të gjitha faktet përkatëse;
  4. Një deklaratë përmbledhëse e shkeljeve të deklaruara të instrumenteve përkatëse për të drejtat e njeriut.

2. Ankuesi duhet të bashkangjes dëshmi dokumentuese, nëse ka, për të mbështetur ankesën, në veçanti për të treguar se janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë.

3. Ankuesi mund të përdor një format standard të ankesës e cila sigurohet nga Paneli.

Rregulla 27. Regjistrimi i ankesave dhe informacioni për Shefin e Misionit

1. Zyrtari i Lartë Ligjor do të mbajë një regjistër të ankesave, në të cilin do të shënohet, mes tjerash, data e regjistrimit e ankesës dhe data e përfundimit të procedimeve.

2. Pas regjistrimit të ankesës njoftohet Shefi i misionit.

 Rregulla 28. Emërimi i raportuesit

1. Kryetari duhet të emërojë një anëtar të Panelit si raportues, i cili/cila do të shqyrtoj ankesën.  

2. Gjatë shqyrtimit të ankesës raportuesi:

  1. Mund të kërkojë nga Ankuesi dhe Shefi i Misionit që të dorëzojnë, brenda një afati kohor të caktuar, informacion faktik, dokumente dhe materiale të tjera, të cilat mund të konsiderohen si relevante; 
  2. Dorëzon raporte të tilla, drafte dhe dokumente tjera, të cilat mund t’i ndihmojnë Panelit në kryerjen e funksioneve të veta.

C. Shqyrtimi i ankesës

Rregulla 29. Vendimi mbi papranueshmëri pa e komunikuar ankesën tek Shefi i Misionit

1. Paneli mund ta shpall ankesën të papranueshme gjatë procedimit përmbledhës nëse:
a. Për nga përmbajtja është e njëjtë me një çështje e cila është shqyrtuar nga Paneli dhe e cila nuk përmban ndonjë njoftim shtesë të rëndësishëm;
b. Është anonime;
c. Është paraqitur pas afateve kohore të paraqitura në Rregullën 25, paragrafi 3;
d. Është e pabazuar;
e. Është shpërdorim i të drejtës së Ankuesit.

2. Vendimi i Panelit për papranueshmërinë do të përmbajë një përshkrim të shkurtër të fakteve të lëndës sikurse edhe arsyet e vendimit të tij. Paneli po ashtu do të deklarohet nëse vendimi është marrë njëzëri apo me shumicë votash. Rregulla 35 do të zbatohet me ndryshimet e nevojshme (mutatis mutandis).

Rregulla 29 shtesë. Heqja e ankesës nga lista

 Paneli mund që të heq nga lista e rasteve ankesën në cilëndo fazë të procedimit, atëherë kur rrethanat çojnë në përfundim se:

    1. Ankuesi nuk ka qëllim që të vazhdoj me ankesën e tij/saj; apo
    2. Për ndonjë arsye tjetër të ngritur nga Paneli, nuk është e arsyeshme që të vazhdohet shqyrtimi i ankesës.

2.    Paneli do të vazhdoj ta shqyrtoj ankesën nëse lind nevoja për zbatimin e të drejtave të njeriut.

 

Rregulla 30. Komunikimi i ankesës tek Shefi i Misionit. Procedimet me shkrim.

1. Nëse procedura sipas Rregullës 29 nuk zbatohet, Paneli mund të vendosë të shqyrtoj pranueshmërinë dhe bazueshmërinë e ankesës njëkohësisht, ose ndaras.

2. Në çfarëdo rasti, Paneli do ta njoftoj SHiM për ankesën, duke e ftuar EULEX-in në Kosovë që të paraqes një koment me shkrim për ankesën dhe, pas pranimit të saj, të kërkojë nga Ankuesi të paraqes komente të mëtejme.  

3. Paneli mund të kërkojë që nga Ankuesi të paraqes çdo lloj të informacionit faktik, dokumente apo material tjetër i cili konsiderohet të jetë relevant.

Rregulla 31. Komentet mbi papranueshmërinë

Çfarëdo komentesh të bëra nga EULEX-i në Kosovë mbi papranueshmërinë e ankesës duhet të jenë me shkrim dhe të paraqiten sipas Rregullës 30.

Rregulla 32. Vendimi mbi pranueshmërinë

Pas pranimit të komentit me shkrim nga SHiM dhe përgjigjet e mundshme, Paneli mund të vendosë mbi çështjen e pranueshmërisë së ankesës. Rregulla 29, paragrafi 2 do të zbatohet mutatis mutandis.

Rregulla 33. Procedura me shkrim dhe me gojë

1. Shqyrtimet e Panelit kryesisht do të bazohen në procedurën me shkrim.

2. Paneli mund të kërkojë nga Ankuesi që të parashtrojë dëshmi të tjera dhe komente me shkrim.

3. Nëse Paneli konstaton se ankesa nuk mund të shqyrtohet thjesht në bazë të parashtrimit me shkrim, por që ky shqyrtim kërkon edhe një paraqitje me gojë, Paneli mund të pranojë një paraqitje të tillë me gojë.
Kryetari do të organizojë dhe drejtojë paraqitjet me gojë.  
Anëtarët e Panelit mund t’ju parashtrojnë pyetje personave gjatë paraqitjeve të tyre me gojë përpara Panelit.

Rregulla 34. Paraqitja e gjetjeve

Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesës, Paneli ia paraqet gjetjet e vet SHiM, duke përfshirë edhe vendimin e Panelit mbi pranueshmërinë. Aty ku është e nevojshme, Paneli do të jap rekomandimet jo detyruese për veprime korrigjuese.

Rregulla 35. Forma e gjetjeve

1. Gjetjet do të përmbajnë:

  1. Emrat e anëtarëve pjesëmarrës në Panel
  2. Datën e vendimit;
  3. Përshkrimin e Ankuesit dhe të përfaqësuesit të tij/saj;
  4. Një përvijim të procedurës së ndjekur;
  5. Një deklaratë për faktet e lëndës;
  6. Një përmbledhje të parashtresave të pranuara;
  7. Arsyet në pikat e ligjit;
  8. Mendimin e Panelit;
  9. Aty ku është e nevojshme, rekomandimet për veprime ndihmëse.

D. Dëshmia

 Rregulla 36. Dëshmia mbi të cilën bazohen vendimet dhe gjetjet

Paneli do t’i bazojë vendimet dhe gjetjet e veta vetëm mbi çdo dëshmi e cila konsiderohet të jetë e lidhur me ankesën, duke përfshirë dëshminë e mbledhur me nismën e vet.

Rregulla 37. Parashtrimi i dëshmisë shtesë nga Ankuesi  

Ankuesi mund të parashtrojë dëshmi shtesë në çdo kohë gjatë procedimit. Mirëpo, Paneli mundet, kur kjo është e nevojshme për kryerjen e duhur të detyrave, të vendosë një kufizim kohor për parashtrimin e dëshmive të tilla.  

E. Nënshkrimi, shpërndarja, njoftimi dhe publikimi i vendimeve dhe konkludimeve

Rregulla 38. Nënshkrimi

Vendimet dhe konkludimet do të nënshkruhen nga Kryetari dhe Zyrtari i Lartë Ligjor.  

Rregulla 39. Shpërndarja

Vendimet dhe gjetjet do të shpërndahen në formë të shkruar.

Rregulla 40. Njoftimi

Ankuesi dhe SHiM do të njoftohen mbi vendimet dhe konkludimet.  

Rregulla 41. Publikimi

Vendimet dhe konkludimet do të publikohen me kohë në www.hrrp.eu në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, përveç nëse publikimi i tyre mund të ndikojë në efikasitetin operacional të Misionit apo në sigurinë e personelit të Misionit. SHiM do të vendosë për raste të tilla pas konsultimit me anëtarët e Panelit.  

F. Rishqyrtimi i pranueshmmërisë së ankesës, korrigjimi dhe ndreqja e gabimeve të gjetjeve

Rregulla 42. Rishqyrtimi i pranueshmërisë së ankesës

1. Ankuesi, në rast të zbulimit të ndonjë fakti, i cili për nga natyra e tij mund të ketë ndikim vendimtar në pranueshmërinë e ankesës dhe i cili, kur është shpërndarë vendimi mbi papranueshmërinë, ka qenë i panjohur për Panelin dhe me arsye nuk ka qenë i njohur për Ankuesin, ai/ajo mund të kërkojë nga Paneli, brenda afatit kohor prej një muaji pasi Ankuesi të jetë njoftuar mbi faktin, që të rishqyrtojë pranueshmërinë e ankesës.  

2. Në kërkesë duhet të saktësohet vendimi përkatës mbi papranueshmërinë dhe duhet të përmbajë informacion të nevojshëm për të treguar se kushtet që përmban paragrafi 1 janë në përputhje me të.

3. Paneli mund të refuzojë kërkesën nëse nuk ekziston ndonjë arsye për të justifikuar marrjen e saj parasysh.

Rregulla 43. Kërkesa për korrigjimin e gjetjeve

1. Ankuesi, në rast të zbulimit të ndonjë fakti, i cili për nga natyra e tij mund të ketë ndikim vendimtar në pranueshmërinë e ankesës dhe i cili, kur është shpërndarë vendimi mbi papranueshmërinë, ka qenë i panjohur për Panelin dhe me arsye nuk ka qenë i njohur për Ankuesin, ai/ajo mund të kërkojë nga Paneli, brenda afatit kohor prej një muaji, pasi Ankuesi kishte fituar njohuri mbi faktin, që të korrigjojë konkludimet.   

2. Në këtë kërkesë duhet të specifikohen konkludimet për të cilat kërkohet korrigjimi dhe ajo duhet të përmbajë informacion të nevojshëm për të treguar për të treguar se kushtet që përmban paragrafi 1 janë në përputhje me të. Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet nga një kopje e të gjitha dokumenteve mbështetëse.

3. Paneli mund të refuzojë kërkesën nëse nuk ekziston ndonjë arsye e cila justifikon marrjen e saj parasysh.

4. Nëse Paneli nuk e refuzon kërkesën, ai do t’ia komunikojë vendimin për këtë Ankuesit dhe Shefit të Misionit dhe do t’i ftojë ata që të parashtrojnë komentet e tyre me shkrim brenda afatit kohor të caktuar nga Paneli.  

Rregulla 44. Përmirësimi i gabimeve dhe revidimi redaksional

Pa paragjykime ndaj Rregullës 42 dhe 43, Paneli mund të përmirësoj gabimet që janë të natyrës administrative, gabimet në kalkulim apo gabimet tjera të dukshme, në bazë të propozimit të vet apo në bazë të kërkesës nga Ankuesi apo SHiM. Kërkesa duhet të dorëzohet brenda një muaji, pas shpërndarjes së gjetjeve.

G. Devijimi

Rregulla 45. Devijimi për rastet individuale

Dispozitat e këtij kapitulli nuk e ndalojnë Panelin nga devijimi gjatë konsiderimit të një rasti të veçantë, aty ku është e nevojshme dhe për kryerjen e duhur të detyrave të tij.

 

Kapitulli 4 shtesë. Përcjellja e rekomandimeve të Panelit

 

Rregulla 45 shtesë

1.    Paneli do të përcjell zbatimin e këtyre rekomandimeve nga ana e SHiM, pasi t’i ketë paraqitur këto rekomandime për veprime korrigjuese.

2.    Vendimi i Panelit për zbatimin e rekomandimeve nga ana e SHiM do të publikohet menjëherë në www.hrrp.eu në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe.

 

 5. Dispozitat përfundimtare

 

Rregulla 46. Çështjet jo të udhëhequra nga Rregullorja e punës

Çështjet jo të udhëhequra nga Rregullorja e punës do të vendosen nga Paneli duke përfillur funksionin e vet si Panel për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut, parimet për një seancë të drejtë në kuptim të nenit 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe Veprimit të Përbashkët.  

Rregulla 47. Versionet e gjuhëve të Rregullores së punës

Kjo Rregullore e punës është miratuar në gjuhën angleze, që paraqet versionin origjinal. Teksti do të përkthehet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe.

 Ndryshuar dhe miratuar nga Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, Kosovë, më 21 nëntor 2011.

 Anëtarët e Panelit

 

Z. Antonio Balsamo (Kryesues i Panelit)                 Znj. Magda Mierzewska (Anëtare)

 

Znj. Anna Bednarek (Anëtare)                                  Znj. Verginia Micheva-Ruseva                                                                                             (Anëtare zëvendësues)

 

Z. John J. Ryan (Zyrtar i Lartë Ligjor)