PARASHTRIMI I ANKESËS

(Në përputhje me rregullat 25 dhe 26 të Rregullores së Punës së PShDNj-së)

Kush?

Çdo person që nuk punon për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe që pretendon se ka qenë viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga Misioni i EULEX-it në Kosovë gjatë ushtrimit të mandatit të tij ekzekutiv.

Ankuesi (personi që parashtron ankesën) mund të përfaqësohet nga një avokat ose nga një përfaqësues tjetër sipas zgjedhjes së tij/saj. Në këtë rast, duhet të plotësohet formulari i autorizimit.

Çfarë?

Paneli shqyrton vetëm ankesat që lidhen me shkelje të pretenduara të të drejtave të njeriut, që pretendohet se kanë ndodhur në Kosovë pas 9 dhjetorit 2008. Shkelja e pretenduar duhet të jetë shkaktuar nga Misioni i EULEX-it në Kosovë gjatë ushtrimit të mandatit të tij ekzekutiv.

Paneli nuk shqyrton procedurat gjyqësore para gjykatave në Kosovë.

Kur?

Ankesa duhet t’i parashtrohet Panelit brenda gjashtë muajve nga data e shkeljes së pretenduar.

Si?

Ankesa duhet të parashtrohet me shkrim. Ankesa nuk mund të parashtrohet me telefon. Ankuesi mund të përdorë gjuhën angleze, shqipe ose serbe.

Ankesa, duhet të parashtrohet përmes formularit të ankesës dhe të shoqërohet me dokumentet dhe vendimet përkatëse, nëse ka, sipas udhëzimeve të dhëna në formular.

Nëse ankesa parashtrohet me anë të një letre, letra duhet të përmbajë, të paktën në formë të përmbledhur, objektin e ankesës, në mënyrë që çështja të mund të shqyrtohet më tej.

Ku?

Ankesa mund të parashtrohet në adresën e mëposhtme:

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Rr. Bekim Fehmiu, ndërtesa e Hotelit Derand Kati i 7-të, nr. 6

10000 Prishtinë

KOSOVË

Ankesa mund të dërgohet edhe me postë elektronike në adresën: office@hrrp.eu.

Nëse ankesa dërgohet me postë elektronike, origjinali i nënshkruar i ankesës duhet të dorëzohet brenda katër javësh nga data e dërgimit të saj.