Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut - Seanca e 36-të

Komunikatë për shtyp

Numër                         05-2017
Data6.12.2017
KontaktiJohn J Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 36-të nga data 4 deri më 6 dhjetor 2017, ku ndër të tjera ka shqyrtuar njëzet e një (21) lëndë.

Lënda nr.: 2011-27 F dhe të Tjerët kundër EULEX-it ishte parashtruar më 14 nëntor 2011 nga familja e X.F., e cila kishte qenë dëshmitare e prokurorisë në një rast penal të rëndë. Pas disa atentatesh nga persona të panjohur ndaj tij, X.F., F. dhe fëmijët e tyre ishin pranuan në Programin e Sigurisë së dëshmitarëve të EULEX-it (PSD). Ata kanë vërejtur se kushtet e tyre ishin shumë të vështira në PSD dhe kanë dalë nga programi vullnetarisht. Sidoqoftë, pasi që X. F. akoma dëshironte të dëshmonte në lidhje me këtë rast, ai ishte rivendosur në një shtet anëtar të BE-së. X.F. ishte kthyer në Kosovë për të dhënë deklarata në seancën para-gjyqësore në lidhje me rastin. Ai ishte pranua rishtas në PSD. Pak kohë më pas ai ishte kthyer në shtetin anëtar të BE-së, ku vdiq më 28 shtator 2011. Një hetim i kryer nga policia anëtare e BE-së, kishte vërtetuar se ai kishte kryer vetëvrasje. Ankuesit kanë parashtruar se presioni psikologjik që i ishte nënshtruar X.F.-së, trajtimi i tij nga EULEX-i, si dhe izolimi i tij nga familja e tij, e detyruan atë të bënte vetëvrasje. Ata pohuan se EULEX-i ishte në dijeni rreth gjendjes së brishtë mendore të X.F.-së, por se EULEX-i nuk i kishte ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar vdekjen e tij.

Paneli ka konstatuar që veprimet apo mosveprimet e fajshme të EULEX-it kishin të bënin jashtëzakonisht shumë me gjendjen e përgjithshme të mirëqenies së X.F.-së dhe familjes së tij. Prandaj Paneli nuk është bindur që EULEX-i i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme sigurisë dhe mbrojtjes së tyre. Prandaj, Paneli konsideron se kishte pasur shkelje të pjesës procedurale të nenit 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNj-së), si dhe shkelje të nenit 3 të KEDNj-së për aq sa e ndalon trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Paneli ka rekomanduar që shefi i Misionit të bënte një deklaratë, ku do të pranonte se rrethanat e rastit përbënin shkelje të të drejtave të ankuesve që i atribuohen veprimeve dhe lëshimeve të EULEX-it gjatë kryerjes së mandatit të tij ekzekutiv dhe se ajo duhet të shpërndajë vendimin tek stafi përkatës i EULEX-it në mënyrë që ata të kenë udhëzimet e nevojshme lidhur me standardet e zbatueshme të të drejtave të njeriut në çështje të tilla.

Paneli gjithashtu ka komunikuar deklaratat e fakteve dhe pyetjet tek shefja e Misionit në lidhje me njëzet (20) lëndë të personave të vrarë dhe zhdukur, (lënda nr. 2016-09 deri 2016-23 dhe lënda nr. 2016-28 deri 2016-32) në fund të seancës.

Aktualisht janë njëzet e tetë (28) ankesa në pritje pranë Panelit. Njëzet (20) prej tyre janë komunikuar tek ShM-ja për vërejtje nga ana e saj, ndërsa të tjerat janë në shqyrtim e sipër.

Vendimet e Panelit janë publikuar në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, në: www.hrrp.eu.

Seanca e radhës e Panelit është caktuar të mbahet nga data 10 deri më 12 prill 2018.

 

 

Shënime për redaktorin

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat nga secili person që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje ose jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensim me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet.