Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën

Komunikatë për shtyp
Numër                         04-2014
Data                            15.09.2014
Personi kontaktues     John J. Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 22të në Prishtinë nga data 25 deri më 27 gusht 2014.

Në vendimin  pasues sa i përket lëndës W kundër EULEX-it (në lidhje me prokurorët e EULEX-it, të cilët kanë dërguar deklaratën e ankuesit si dëshmitar dhe të dhënat e tjera personale të tij tek autoriteteve në Serbi) Paneli ka deklaruar se shefi i Misionit të EULEX-it kishte zbatuar shumicën e rekomandimeve të Panelit, por kishte vendosur që mos ta zbatonte njërën prej tyre. Paneli ka vendosur ta mbyll shqyrtimin e kësaj lënde.

Në lëndën Krlić kundër EULEX-it, Paneli ka konstatuar se EULEX-i nuk i ka shkelur të drejtat e ankuesit sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (e drejta për jetë private). Ankesa është parashtruar nga një zyrtar i qeverisë së Serbisë, të cilit ju ishte mohuar hyrja në Kosovë nga policia kufitare e EULEX-it. Paneli ka konsideruar se ankuesi nuk i kishte përmbushur kriteret procedurale që vlejnë për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Paneli ka konkulduar se policia kufitare e EULEX-it ka vepruar brenda kufirit të tyre të vlerësimit, ndërsa refuzimi që të lejohej hyrja e ankuesit ishte justifikuar në rrethanat e rastit.

Tre lëndë të tjera janë gjetur të papranueshme. Në dy prej tyre, Paneli ka gjetur se nuk ishte treguar se EULEX-i ka qenë i përfshirë në ndonjë cilësi në çështjet ndaj të cilave ka pasur ankesë. Lënda e tretë ka të bëjë me procedurën pranë Gjykatës Supreme të Kosovës. Si në shumë lëndë të mëparshme në lidhje me ankesa të ngjashme, Paneli ka konstatuar se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar procedurat gjyqësore që janë pranë gjykatave të Kosovës, edhe në qoftë se gjykatësit e EULEX-it ulen në atë trup gjykues. Një ankesë tjetër është hequr nga lista e lëndëve.

Paneli ka komunikuar dy lëndë tek shefi i Misionit të EULEX-it, duke i kërkuar atij që të ofroj vërejtjet e tij rreth pranueshmërisë dhe bazueshmërisë së tyre. Njëra prej tyre është parashtruar nga një i afërm i një personi të zhdukur që nga viti 2000. Ankuesi pohon se EULEX-i nuk ka arritur të kryej ndonjë hetim efektiv rreth zhdukjes së të afërmit të saj. Lënda tjetër ka të bëjë me disa hetime të kryera nga prokurorët e EULEX-it.

Të gjitha vendimet do të publikohen në faqen e internetit të Panelit pasi të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe.

Tani për tani janë 43 lëndë të pazgjidhura në Panel. 21 prej të tyre u janë komunikuar palëve; 2 prej tyre janë shpallur të pranueshme. Lëndët e tjera janë në shqyrtim e sipër.

Seanca e ardhshme e Panelit është planifikuar të mbahet nga 10-12 nëntor 2014.

Për informata të mëtejshme lidhur me Panelin dhe praktikat e tij gjyqësore shih faqen e internetin www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.