Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën

Komunikatë për shtyp
Numër                         02-2015
Data                            15.05.2015
Personi kontaktues     John Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e parë për vitin 2015, nga data 3 deri më 5 shkurt 2015.

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 25-të nga data 20 deri më 22 prill 2015.

Në lëndën X dhe 115 ankues të tjerë kundër EULEX-it, Paneli ka konstatuar se EULEX-i Kosovë ka shkelur të drejtën e ankuesve për një mjet juridik efektiv të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ankesa është paraqitur nga 116 persona romë të zhvendosur brenda vendit (PZhBV), të cilët ishin zhvendosur gjatë konfliktit të vitit 1999 dhe ishin vendosur në disa kampe të PZhBV-së. Paneli ka konstatuar se dështimi i EULEX-it për të nisur një hetim rreth shkeljeve të pretenduara të të drejtave të ankuesve ka rrezikuar mundësinë e tyre që të kenë një mjet juridik efektiv për dëmin që kishin pësuar. Paneli po ashtu ka bërë rekomandime tek shefi i Misionit për masa korrigjuese.

Paneli ka marrë një vendim të përbashkët në lëndët e parashtruara nga dhjetë qytetarë serbë, të cilët ishin arrestuar dhe gjoja se ishin rrahur nga policë të Policisë së Kosovës, atëherë kur ata merrnin pjesë në festimet e krishtlindjeve në manastirin e Graçanicës në vitin 2013. Paneli ka konsideruar se EULEX-i ka bërë gjithë atë çfarë ka qenë e mundur në ato rrethanë dhe se ajo situatë rreth së cilës ka pasur ankesë nuk ka përbërë shkelje të së drejtës së ankuesve që mund t’i atribuohej EULEX-it.

Pesë lëndë të tjera janë gjetur të papranueshme. Në tre prej tyre Paneli ka shpallur se i mungon juridiksioni për t’i shqyrtuar ato, pasi ato kanë të bëjnë me procedurat pranë gjykatave të Kosovës. Në një lëndë Paneli ka konstatuar se nuk ishte treguar se EULEX-i ishte i përfshirë në ndonjë cilësi në çështjet rreth të cilave ka pasur ankesë. Në një lëndë tjetër Paneli ka konstatuar se ankesa ishte e parakohshme, pasi procedurat rreth të cilëve ka pasur ankesë ishin ende të pazgjidhura.

Të gjitha vendimet do të publikohen në faqen e internetit të Panelit, pasi të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe.

Seanca e ardhshme e Panelit është planifikuar të mbahet në mesin e qershorit 2015.

Tani për tani në Panel janë 29 lëndë të pazgjidhura. 15 prej të tyre u janë komunikuar palëve për vërejtje rreth pranueshmërisë dhe bazueshmërisë së tyre. Në dy lëndë Paneli i ka bërë rekomandime shefit të Misionit për masa korrigjuese dhe është në pritje të përgjigjes së tij. Lëndët e tjera janë në shqyrtim e sipër.

Për më shumë informata rreth Panelit, ju lutemi vizitoni www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.