Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut - Raport për seancën

Komunikatë për shtyp
Numër                         03-2014
Data                            1.07.2014
Personi kontaktues     John J. Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 21të në Prishtinë nga data 26 deri më 28 maj 2014.

Paneli ka konstatuar në një vendim pasues të të ashtuquajturave “lëndët e Vidovdanit” (dy lëndë që lidhen me incidentet e ditës së Vidovdanit të datës 28 qershor 2012) se shefi i Misionit të EULEX-it i kishte zbatuar rekomandimet e tij.

Një lëndë është gjetur e pranueshme. Ajo lidhej me dyshimin se EULEX-i nuk ka hetuar uzurpimin e banesës së ankuesit. Paneli ka konstatuar se ankesa ka ngritur këto çështje sipas nenit 13 (e drejta për ankim efektiv) dhe nenit 14 (e drejta për të mos u diskriminuar) i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës (e drejta për gëzim të qetë të pronës së vet). Paneli ka ftuar shefin e Misionit të EULEX-it dhe ankuesin që të paraqesin vërejtjet e tyre shtesë mbi meritat e kësaj lënde.

Paneli ka shpallur shtatë lëndë të tjera të papranueshme. Paneli në dy prej tyre ka konstatuar se nuk ishte treguar se EULEX-i kishte qenë i përfshirë në ndonjë cilësi në çështjet rreth të cilave janë bërë ankesat. Paneli ka konstatuar në katër të tjera se ato kanë dalë jashtë kompetencave të tij, pasi Paneli nuk ka juridiksion për të shqyrtuar procedurat gjyqësore të gjykatave të Kosovës. Një lëndë është shpallur qartas e pabazuar.

Paneli ka komunikuar tetë lëndë tek shefi i Misionit të EULEX-it, duke kërkuar nga ai që t’i ofroj vërejtjet e veta mbi pranueshmërinë dhe meritat e tyre. Shtatë prej tyre janë paraqitur nga të afërmit e personave të zhdukur ose të vrarë gjatë konfliktit të vitit 1999. Ankuesit pohojnë se EULEX-i nuk ka kryer hetime ekzekutive rreth vdekjeve dhe zhdukjeve të të afërmve të tyre. Një lëndë ka të bëjë me procedurat pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të gjitha vendimet do të publikohen në faqen e internetit të Panelit pasi të përkthehen në gjuhën shqipe dhe serbe.

Seanca e radhës së Panelit është caktuar të mbahet nga data 25 deri më 27 gusht 2014.

Gjatë pjesës së parë të vitit 2014 ka pasur një rritje të dukshme të numrit të lëndëve në Panel, ku janë regjistruar 33 lëndë të reja. Tani për tani janë 45 lëndë të pazgjidhura në Panel, 23 prej të cilave u janë komunikuar palëve, e 2 janë shpallur të pranueshme. Lëndët e tjera janë në shqyrtim e sipër.

Për informata të mëtejshme lidhur me Panelin dhe praktikat e tij gjyqësore shih faqen e internetin www.hrrp.eu.

Shënim për redaktorin,
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut  (PSHDNJ) për  EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. PSHDNJ nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompenzimin me të holla. PSHDNJ i ushtron funksionet e veta në mënyrë të paanshme dhe me integritet.