Komunikatë për shtyp – Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Numër: 05-2021
Datë: 20 shtator 2021

Komunikatë për shtyp – Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 52- më 16 shtator 2021. Seanca është mbajtur përmes mjeteve elektronike.

Gjatë seancës, Paneli ka shqyrtuar katër (2) lëndë:

1. Lënda nr. 2018-01 Y.B.2 kundër EULEX-it. Më 16 shtator 2021, Paneli ka miratuar vendimin mbi Pranueshmërinë dhe Meritat e lëndës. Në vendim, Paneli hodhi poshtë kërkesën e ankuesit për masa të përkohshme. Paneli gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Misionit për ta hequr lëndën nga lista e tij e lëndëve. Sa i përket ankesës për shkelje të së drejtës për prezumimin e pafajësisë, siç mbrohet nga neni 6(2) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paneli e hodhi poshtë këtë ankesë si qartazi të pabazuar. Sa i përket ankesës për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private, të mbrojtur nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paneli konstatoi se deklaratat e bëra nga prokurori i EULEX-it në intervistën televizive përbënin një ndërhyrje të pajustifikuar në reputacionin e ankuesit, dhe në këtë mënyrë kishte shkelur nenin 8. Paneli ftoi Misionin të bëjë një deklaratë publike duke pranuar se rrethanat e rastit përbënin shkelje të të drejtave të ankuesit, si rezultat i veprimeve që i atribuohen EULEX-it në kryerjen e mandatit të tij ekzekutiv.

2. Lënda nr. 2019-01 G.T. kundër EULEX-it. Më 16 shtator 2021, Paneli ka miratuar një vendim të dytë mbi zbatimin e rekomandimeve të Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Paneli vuri në dukje se Misioni kishte përcjellë dhe zbatuar disa, por jo të gjitha rekomandimet e Panelit. Në veçanti, Paneli konsideroi se Misioni kishte dështuar të pranonte shkeljen e të drejtave të ankueses dhe nuk kishte arritur të kontaktonte drejtpërdrejt me ankuesen në lidhje me vërtetimin e nevojës për siguri shtesë që dilte nga dëshmia e ankueses në Serbi. Paneli shprehu keqardhje që Misioni edhe një herë kishte dështuar të zbatonte këto dy rekomandime. Për më tej, Paneli përsëriti se Misioni është përgjegjës për ofrimin e një mjeti efektiv juridik për shkeljen e të drejtave të njeriut që ka kryer në rastin aktual, dhe se Misioni nuk mund t’i delegojë obligimet e veta ndaj të drejtave të njeriut palëve të treta. Paneli i kërkoi Misionit që t’iu shpërndajë këtë vendim zyrtarëve përkatës të Misionit dhe autoriteteve jashtë tij. Paneli vendosi të mbyllë shqyrtimin e kësaj lënde.

Vendimet e Panelit, rregullorja e punës dhe raportet vjetore janë të publikuara në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe:www.hrrp.eu.

 Shënime për redaktorin:

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat nga secili person që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje ose jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensim me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet.