Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Komunikatë për shtyp

Numri05-2019
Data13 dhjetor 2019

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 43-të më 11-13 dhjetor 2019.

 

Më 11 dhjetor 2019, Paneli ka ndryshuar rregulloren e vet të punës për të siguruar që të gjitha palët në ankesë mund të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga e drejta për të kërkuar rishikimin e gjetjeve të Panelit nëse bëhen të ditura fakte të reja që nuk ishte mundur të diheshin më herët.

Gjatë seancës, Paneli ka shqyrtuar pesë lëndë:

1. Lënda 2011-20 X. dhe 115 të tjerë kundër EULEX-it. Më 11 dhjetor 2019, Paneli ka marrë vendimin e katërt lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e tij, Paneli vuri në dukje se ankuesve ende nuk iu janë ofruar mjete efektive juridike dhe dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të tyre, dhe ka ftuar EULEX-in që të bëjë një rishikim të plotë të mjeteve të misionit në dispozicion për të korrigjuar shkeljen e të drejtave të ankuesve në mënyrë efektive dhe të raportoj në Panel në lidhje me masat që propozon të marrë për ta bërë këtë.

2. Lënda 2016-09 Milorad Trifunović kundër EULEX-it. Më 11 dhjetor 2019, Paneli ka përcaktuar që EULEX-i nuk kishte kryer hetim efektiv rreth zhdukjes së anëtarit të familjes së ankuesit dhe nuk kishte arritur ta mbante të informuar ankuesin. Si rezultat, Paneli ka përcaktuar që Misioni ishte përgjegjës për një shkelje sipas pjesën procedurale të së drejtës së ankuesit për jetë, siç garantohet nga neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për shkelje të së drejtës së ankuesit për t’u mbrojtur nga trajtimi çnjerëzimi ose poshtërues, siç garantohet nga neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paneli i ka dhënë rekomandime shefit të Misionit të EULEX-it, përfshirë që t’i pyes autoritetet se çfarë hapash po ndërmerren për ta hetuar këtë lëndë, dhe për t’iu theksuar autoriteteve rëndësinë e të drejtave të viktimës për të vërtetën dhe për t’u informuar rreth rrjedhës së përgjithshme të hetimit.

3. Lënda 2016-14 Milan Ađančić kundër EULEX-it. Më 11 dhjetor 2019, Paneli ka përcaktuar që EULEX-i nuk kishte kryer hetim efektiv rreth zhdukjes së një anëtari të familjes së ankuesit dhe nuk kishte arritur ta mbante ankuesin të informuar. Si rezultat, Paneli ka përcaktuar se Misioni ishte përgjegjës për një shkelje sipas pjesës procedurale të së drejtës së ankuesit për jetë, siç garantohet me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për shkelje të së drejtës së ankuesit për mbrojtje nga trajtimi çnjerëzor ose poshtërues, siç garantohet me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paneli i ka bërë disa rekomandime shefit të Misionit të EULEX-it, përfshirë që t’i pyes autoritetet se çfarë hapash po ndërmerren për ta hetuar këtë lëndë, dhe për t’iu theksuar autoriteteve rëndësinë e të drejtave të viktimës për të vërtetën dhe për t’u informuar rreth rrjedhës së përgjithshme të hetimit.

4. Lënda 2016-17 Milijana Avramović kundër EULEX-it. Ankesa kishte të bënte me zhdukjen e një anëtari të familjes së ankuesit dhe hetimin në lidhje me këtë zhdukje. Paneli i ka shpallur ankesat të pranueshme dhe ka ftuar palët që të bëjnë parashtresa në lidhje me meritat e ankesave.

5. Lënda 2017-02 Milijana Avramović kundër EULEX-it. Më 11 dhjetor 2019, Paneli ka lëshuar një vendim pasues në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut. Në vendimin e tij, Paneli vuri në dukje se të drejtat e ankuesit në lëndën në fjalë ende po shkelen, pasi rasti i të afërmve të saj të zhdukur ende mbetet i pa hetuar. Paneli ka konsideruar që hapat e ndërmarra ose të propozuara deri më tani nga Misioni për të adresuar gjetjet dhe rekomandimet e Panelit nuk japin përgjigje të duhur ose efektive ndaj shkeljes së të drejtave të ankuesit. Paneli ka ftuar Misionin që të konsideroj me kujdes se çfarë mundësish ekzistojnë për Misionin që të kontribuon në lidhje me këtë përgjigje të duhur në mënyrë kuptimplote dhe efektive, dhe të informojë Panelin për rezultatin e këtyre konsideratave dhe cilat masa Misioni propozon t’i marrë për të arritur atë qëllim.

 

Vendimet e Panelit, rregullorja e punës dhe raportet vjetore publikohen në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, në www.hrrp.eu.

Shënime për redaktorin

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat nga secili person që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje ose jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensim me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet.