Komunikatë për shtyp - Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Komunikatë për shtyp
Numër 02-2020
Data: 12 qershor 2020

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 45-të më 4 qershor 2020. Seanca është mbajtur përmes mjeteve elektronike.

Gjatë seancës, Paneli ka shqyrtuar katër lëndë:

1. Lënda 2016-17 Milijana Avramović kundër EULEX-it. Më 4 qershor 2020, Paneli vendosi që EULEX-i nuk kishte arritur të kryenta ndonjë hetim efektiv për zhdukjen e anëtarit të familjes së ankuesit dhe nuk kishte arritur ta mbante ankuesin të informuar. Si rezultat, Paneli përcaktoi që Misioni ishte përgjegjës për një shkelje nën pjesën procedurale të së drejtës së ankuesit për jetë, siç garantohet me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe për shkelje të së drejtës së ankuesit për ndalimin e trajtimit çnjerëzor ose poshtërues, siç garantohet nga neni 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Paneli gjithashtu përcaktoi që Misioni ishte përgjegjës për mos ofrimin ankuesit të një mjeti efektiv në kundërshtim me nenin 13 të Konventës. Paneli i bëri disa rekomandime shefit të Misionit të EULEX-it, duke përfshirë gjithashtu t’i kërkonte autoriteteve se çfarë hapash po merren për të hetuar këtë rast, dhe për t’ia theksuar autoriteteve rëndësinë e të drejtave të viktimës për të vërtetën dhe për t'u informuar rreth rrjedhës së përgjithshme të hetimit. Paneli gjithashtu ftoi shefin e Misiont të kontaktoj ankuesen me qëllim të gjetjes së një mjeti juridik për shkeljen e të drejtave të saja.

2. Lënda 2016-23 Q.J. kundër EULEX-it. Më 4 qershor 2020, Paneli deklaroi se ankesat ishin të pranueshme dhe ftoi palët që të bëjnë parashtresa për meritat e ankesave. Ankesa kishte të bënte me zhdukjen e një anëtari të familjes së ankuesit dhe hetimin për këtë zhdukje.

3. Lënda 2016-28 S.H. kundër EULEX-it. Më 4 qershor 2020, Paneli hodhi poshtë kërkesën e shefit të Misionit të EULEX-it për një rishikim të gjetjeve të tij bazuar në rregullën 43 të ndryshuar të Rregullores së punës të Panelit. Paneli përcaktoi që fakti i ri i paraqitur nga Misioni në mbështetje të kërkesës së tij për rishikim nuk ndikoi në mënyrë të konsiderueshme në gjetjen e Panelit që EULEX-i nuk e kishte mbajtur ankuesin të informuar për hetimin e tij rreth zhdukjes së anëtarit të tij të familjes. Si rezultat, Paneli konfirmoi Vendimin dhe Gjetjet e tij të datës 11 shtatorit 2019 dhe i përsëriti rekomandimet e tij shefit të Misionit të EULEX-it, përfshirë që edhe të kërkohet nga autoritetet se çfarë hapash po ndërmerren për të hetuar këtë rast, dhe për t’iu theksuar autoriteteve rëndësinë e të drejtave të viktimës për të vërtetën dhe për t’u informuar për rrjedhën e përgjithshme të hetimit.

4. Lënda 2019-01 G.T. kundër EULEX-it. Më 4 qershor 2020, Paneli shpalli ankesat të pranueshme dhe ftoi palët që të bëjnë parashtresa për meritat e ankesave. Ankesa kishte të bënte me asistencën e EULEX-it ndaj ankuesit për të dëshmuar në një proces gjyqësor për krime lufte në Serbi, dhe kërcënimeve të mëpasshme ndaj ankuesit.

Vendimet e Panelit, rregullorja e punës dhe raportet vjetore janë publikuar në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe: www.hrrp.eu.

 Shënime për redaktorin:

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat nga secili person që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje ose jo të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensim me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet.