Z. Antonio Balsamo
Z. Antonio Balsamo, shtetas i Italisë, ka diplomuar për Drejtësi në Fakultetin e Jurisprudencës,
Universiteti i Palermos në Itali në dhjetor 1986. Ai specializoi në të Drejtën e Pushtetit Rajonal dhe
Lokal në Universitetin e Palermos në vitin 1991.
Ai punoi si gjykatës në Gjykatën e Palermos nga viti 1995-2007 ku u mor me shqyrtimin e shumë
lëndëve të rëndësishme, përfshirë këtu edhe gjykimin e Giulio Andreotti lidhur me marrëdhëniet e
ndërlikuara që ekzistonin mes krimit të organizuar dhe institucioneve publike. Z. Balsamo ishte
kryesues i Gjykatës e cila urdhëroi konfiskimin e pasurive, që u vlerësuan me qindra milionë euro,
të Mafisë së Sicilisë në vitin 2002. Z. Balsamo është i punësuar në Gjykatën Supreme të Kasacionit
në Itali që nga viti 2007, dhe është përgjegjës për trajnimin profesional të gjykatësve dhe
prokurorëve të Gjykatës Supreme të Italisë. Ai është anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së
Gjykatësve të Italisë dhe drejtor i revistës “La Magistratura”. Ai gjithashtu është profesor i të drejtës
penale në Shkollën për Specializime Pasuniversitare për profesionet juridike.
Z. Balsamo është ekspert gjyqësor i të drejtës evropiane, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin
juridik ndërkombëtar në çështjet kriminale. Ai ishte edhe anëtar i Këshillit Shkencor në Këshillin e
Lartë Italian për Gjyqësi, i Komisionit për Reformimin e Ligjit Penal të Italisë dhe anëtar i
Komisionit Shkencor Rajonal të Institutit Ndërkombëtar për Studime të larta në Shkencat Penale. Ai
gjithashtu mori pjesë si konsulent ekspert në projektet e Bashkimit Evropian që kishte të bënte me
reformimin e ligjit penal të Bullgarisë si the themelimin e Zyrës së Prokurorit Publik për t’u
përballë me krimin e organizuar dhe korrupsionin në IRJM dhe trafikimin me njerëz në Turqi.
Ai ka edituar librin “Giurisprudenza europea e processo penale italiano” (Jurisprudenca Evropiane
dhe procesi penal italian) mbi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
dhe ndikimin e saj në ligjin e Italisë për procedurën penale. Ai gjithashtu ka botuar një libër mbi
dëshmitë nga thashethemet si dhe disa artikuj në revistat e specializuara shkencore dhe kaptina
librash mbi tema të ndryshme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivelin
shtetëror dhe ndërkombëtar.
Z. Balsamo është emëruar anëtar i Panelit për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut të EULEX-it nga
ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit më 4 maj 2010, dhe është caktuar kryesues i panelit nga
kolegët e tij anëtarë të panelit më 5 maj 2010.