Komunikatë për shtyp - Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut

Komunikatë për shtyp

Numër                         01-2018
Data19 Prill 2018
KontaktiJohn Ryan

Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) ka mbajtur seancën e 37-të nga data 10 deri më 12 prill 2018. Paneli ka lëshuar tri (3) vendime të pranueshmërisë dhe një lëndë e ka komunikuar tek shefja e Misionit të EULEX-it për vërejtje.

Dy lëndë kishin të bëjnë me procedurat pranë gjykatave të Kosovës (R.I. kundër EULEX-it, nr. 2016-34 dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria Deçan kundër EULEX-it, nr. 2016-35).Ashtu si në shumë lëndë të ngjashme të mëparshme, Paneli ka deklaruar se nuk ka juridiksion të shqyrtoj procedurat gjyqësore të gjykatave të Kosovës edhe nëse gjykatësit e EULEX-it ulen në trupin gjykues.

Ankesa e tretë (A.Z. kundër EULEX-it, nr. 2017-01) , kishte të bëjë me vendimin e prokurorëve të EULEX-it për të mos hetuar lëndën e ankuesit. Paneli ka konstatuar se lënda penale qartas nuk ka hyrë në kuadër të kompetencave të prokurorëve të EULEX-it sipas Ligjit mbi Kompetencat. Rrjedhimisht, ankesa ishte shpallur e pabazuar. Për më tepër, Paneli ka konstatuar se sjellja për të cilën është bërë ankesa kishte dalë jashtë afatit gjashtëmujor, të përcaktuar për parashtrimin e ankesës.

Paneli ka shqyrtuar një lëndë që ka të bëjë me fatin e një personi që dyshohej se ishte zhdukur që nga viti 1998. Ankesa ishte parashtruar nga anëtari i familjes së tij. Paneli këtë lëndë e ka komunikuar tek shefja e Misionit të EULEX-it, duke kërkuar që ajo të parashtroj vërejtje rreth pranueshmërisë dhe bazueshmërisë së lëndës.

Po ashtu gjatë seancës Paneli ka vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku zëvendës shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it ju ka bërë një prezantim rreth punës së këtij Instituti.

Vendimet e Panelit janë publikuar në faqen e internetit të Panelit në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe, në: www.hrrp.eu.

Aktualisht janë njëzet e gjashtë (26) ankesa në pritje pranë Panelit. Njëzet e një prej tyre janë komunikuar tek ShM-ja për vërejtje nga ana e saj, ndërsa të tjerat janë në shqyrtim e sipër.

Seanca e ardhshme e Panelit është planifikuar të mbahet nga data 24 deri më 25 maj 2018.

 Shënime për redaktorin;
Paneli për Shqyrtimin e të Drejtave të Njeriut (Paneli) për EULEX-in në Kosovë, si mekanizëm i pavarur llogaridhënës për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut, shqyrton ankesat e çdo personi që deklaron se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njeriut nga EULEX-i në Kosovë gjatë përmbushjes së mandatit ekzekutiv të tij. Paneli nuk është trup gjyqësor ose disiplinor. Ky mekanizëm merret vetëm me konstatimin nëse ka pasur shkelje apo nuk ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe formulon rekomandime për veprime korrigjuese. Veprimi i tillë nuk përfshinë kompensimin me të holla. Paneli është i pavarur gjatë kryerjes së funksioneve të tij, të cilat i kryen me paanësi dhe integritet.